click play
Çfarë është një rrjet?

Ka lloje të ndryshme rrjetesh, që na sigurojnë lloje të ndryshme shërbimesh. P.sh., gjatë ditës një person mund të bëjë një telefonatë, të shohë një shfaqje televizive, të dëgjojë radion, të kërkojë për diçka në Internet, ose madje të bëjë një lojë me dikë në një shtet tjetër. Të gjitha këto aktivitete që bëhen në jetën e përditshme varen plotësisht nga rrjete të ndryshme. Rrjetet sigurojnë mundësinë që të lidhin njerëzit dhe pajisjet pavarësisht se ku ndodhen në botë. Njerëzit i përdorin rrjetet pa menduar ndonjëherë sesi funksionojnë ose sesi mund të ishte nëse rrjetet nuk do ekzistonin. 

Disa nga rrjetet kryesore të përdorshme sot janë:
Rrjetet kompjuterike/të të dhënave, të cilët janë rrjete që sigurojnë komunikime midis përdoruesve kompjuterikë me anë të lidhjeve me tela bakri, fibër optike dhe me valë.
Rrjetet telefonike lidhin telefonuesit dhe mundësojnë lidhje me modem, me anë të linjave tokësore tradicionale dhe atyre me valë, si telefonia celulare.
Rrjetet televizive sigurojnë transmetime të rregullta dhe me cilësi të lartë me valë, me kabllo dhe satelit.
Teknologjia e komunikimit në vitet 1990 dhe më parë, kërkonte rrjete të ndara për zë, video dhe të dhëna kompjuterike. Secili nga këto rrjete kërkonte një lloj të ndryshëm pajisje për të hyrë në këto rrjete. Telefonat, televizorët dhe kompjuterat përdornin teknologji specifike dhe struktura rrjeti të ndryshme të dedikuara, për të komunikuar. Por çfarë ndodh nëse njerëzit duan t’i aksesojnë të gjitha këto shërbime rrjeti të përmendura më sipër në të njëjtën kohë, ndoshta duke përdorur dhe një pajisje të vetme?
Teknologjitë e reja krijojnë një lloj të ri rrjeti që siguron më shumë se një lloj shërbimi. Ndryshe nga rrjetet e dedikuar, këto rrjete të reja të konvergjuara janë në gjendje të sigurojnë shërbime zanore, video dhe të dhënash mbi të njëjtin kanal komunikimi ose strukturë rrjeti.
Produktet e reja që sot janë në treg shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ofrojnë këto rrjete informacioni të konvergjuara. Tani njerëzit mund të shohin transmetime video direkte në kompjuterat e tyre, të bëjnë një telefonatë me anë të Internetit, ose të bëjnë kërkime në Internet duke përdorur televizorin. Rrjetet e konvergjuara e mundësojnë fare mirë këtë. 




Të mirat e rrjeteve


Rrjetet janë me madhësi të ndryshme. Ata variojnë nga rrjete të thjeshta që përbëhen nga dy kompjutera, në rrjete që lidhin miliona pajisje. Rrjetet e instaluara në zyra të vogla ose në zyra në shtëpi njihen si rrjete SOHO (Small Office Home Office). Rrjetet SOHO mundësojnë ndarjen e resurseve, si printera, dokumente, fotografi dhe muzikë, ndërmjet disa kompjuterave të lidhur lokalisht.
Në biznes, rrjete të mëdha mund të përdoren për të reklamuar dhe shitur produktet, porositur pajisje dhe komunikuar me klientët. Komunikimi në rrjet zakonisht është më i efektshëm dhe më i lirë se format tradicionale të komunikimit, si posta e zakonshme ose telefonatat jashtë rrethit dhe shtetit. Rrjetet lejojnë komunikim të shpejtë, si posta elektronike dhe mesazheri i çastit, dhe sigurojnë ruajtje dhe marrje informacioni nga servera të ndryshëm në rrjet. 
Rrjetet e biznesit dhe ato SOHO zakonisht kanë një lidhje në Internet. Interneti konsiderohet “rrjeti i rrjeteve”, sepse ai në të vërtetë përbëhet nga mijëra rrjete që lidhen me njëri-tjetrin.
Disa përdorime të tjera të një rrjeti dhe Internetit janë:
-    Shkëmbimi i skedarëve të muzikës dhe atyre video
-    Punë kërkimore dhe edukim në distancë
-    Bisedim në kohë reale me miqtë
-    Planifikim pushimesh
-    Blerje dhuratash dhe pajisjesh, etj.
Po ashtu ka përdorime të shumta të rrjeteve, pa të cilat në kohën e sotme vështirësohet puna e përditshme.
Rrjetet e vogla shtëpiake janë rrjete që lidhin disa kompjutera me njëri-tjetrin dhe në përgjithësi kanë një lidhje të përbashkët në Internet.
Rrjetet SOHO mundësojnë lidhjen e kompjuterave në një rrjet tjetër të kompanisë për të komunikuar dhe shkëmbyer resurset e ndryshme.
Rrjetet mesatare deri në të mëdha, si ato që përdoren nga kompanitë e mëdha ose shkollat, mund të kenë disa pika, të cilat përmbajnë me qindra e mijëra kompjutera të lidhur me njëri-tjetrin.
Rrjetet mbarë botërore, si Interneti, janë rrjete të rrjeteve që lidhin qindra miliona kompjutera në mbarë botën.

Pjesët përbërëse bazë të rrjeteve



Ka shumë pjesë përbërëse që mund të jenë pjesë e një rrjeti, për shembull kompjuterat personalë, serverat, pajisjet e rrjetit dhe kabllimi. Këto pjesë përbërëse mund të grupohen në katër kategori kryesore:
-    Kompjuterat
-    Periferikët e përbashkët
-    Pajisjet e rrjetit
-    Mjedisi i transmetimit i rrjeteve
Pjesët përbërëse të rrjeteve me të cilat njerëzit janë më shumë të familjarizuar janë kompjuterat dhe pajisjet periferike. Kompjuterat janë pajisje që dërgojnë dhe marrin mesazhe direkt në rrjet. Periferikët e përbashkët nuk lidhen direkt në rrjet, por lidhen me kompjuterat. Kompjuteri është përgjegjës për vënien në dispozicion të periferikut në rrjet, si p.sh. një printer. Kompjuterat kanë softuer kompjuterik të konfiguruar që t’u mundësojë njerëzve në rrjet të përdorin pajisjet periferike të lidhura me to.
Pajisjet e rrjetit, si dhe mjedisi i transmetimit, përdoren për të ndërlidhur kompjuterat me njëri-tjetrin.
Disa pajisje mund të luajnë më shumë se një rol, në varësi të lidhjes. Për shembull, një printer i lidhur direkt te një kompjuter (printer lokal) është një pajisje periferike. Një printer i lidhur direkt në një pajisje rrjeti dhe që komunikon direkt në rrjet quhet pajisje fundore rrjeti. 

Rolet e kompjuterit në rrjet


Të gjithë kompjuterat e lidhur në rrjet, që komunikojnë me anë të rrjetit, futen te grupi i pajisjeve fundore të rrjetit. Kompjuterat dhe pajisjet fundore të rrjetit mund të dërgojnë dhe marrin mesazhe në rrjet. Në rrjetet moderne, kompjuterat mund të sillen si klient, server ose të dyja njëkohësisht. Softueri i instaluar në kompjuter përcakton rolin që luan kompjuteri.
Serverat janë kompjutera që kanë softuer të instaluar, që u mundësojnë atyre të sigurojnë informacion, si e-mail apo faqe uebi, te kompjuterat e tjerë në rrjet. Çdo shërbim kërkon softuer të veçantë serveri. Për shembull, një kompjuter kërkon softuer uebi për të siguruar shërbime uebi në rrjet.
Klientët janë kompjutera që kanë softuer të instaluar, që u mundësojnë atyre të kërkojnë dhe afishojnë informacionin e marrë nga serveri. Një shembull i softuerit klient është një shfletues uebi, si Internet Explorer ose Mozilla Firefox.

Disa nga rolet e serverave dhe klientëve në rrjet

Klient dhe server webi:
 Serveri i webit ekzekuton softuer serveri dhe klientët përdorin softuerin e tyre të shfletimit, si Internet Explorer ose Mozilla Firefox, për të hapur faqet e uebit që ruhen në server.

Klient dhe server skedarësh: 
Serveri i skedarëve ruan skedarin, pajisja e klientit akseson skedarin me softuer klient si Windows Explorer-i.

Klient dhe server e-mail-i:
 Serveri i postës elektronike ekzekuton softuer serveri dhe klientët përdorin softuerin e klientit të e-mail-it, si Microsoft Outlook, për të aksesuar e-mail-in në server.Një kompjuter me softuer serveri mund të sigurojë shërbime të njëkohshme në një ose më shumë klientë.
Përveç kësaj, një kompjuter i vetëm mund të ekzekutojë lloje të shumta softuerësh serveri. Në shtëpi, ose te bizneset e vogla mund të jetë e domosdoshme që një kompjuter të shërbejë si server skedarësh, server uebi dhe server e-mail-i. 
Një kompjuter i vetëm, gjithashtu, mund të ekzekutojë lloje të shumta softuerësh klienti. Duhet të ketë softuer klient për çdo shërbim që kërkohet. Me shumë klientë të instaluar, një kompjuter mund të lidhet me shumë servera në të njëjtën kohë. Për shembull, një përdorues mund të kontrollojë e-mail-in dhe të shohë një faqe uebi, kur në të njëjtën kohë bën “chat” dhe dëgjon radio në Internet.


Rrjetet peer-to-peer (një-me-një)


Softuerët klient dhe server zakonisht ekzekutohen në kompjutera të veçantë, por është gjithashtu e mundur që një kompjuter t’i kryejë të dyja rolet në të njëjtën kohë. Në bizneset e vogla dhe në shtëpi, shumë kompjutera funksionojnë si servera dhe klientë në rrjet. Ky lloj rrjeti quhet rrjet një-me-një. Rrjeti më i thjeshtë një-me-një përbëhet nga dy kompjutera të lidhur direkt, duke përdorur një lidhje me kabllo ose me valë. 
Në mënyrë të ngjashme, shumë kompjutera mund të lidhen për të krijuar një rrjet më të madh një-me-një, por kjo kërkon një pajisje rrjeti, si hub, për të ndërlidhur kompjuterat.
Mangësia kryesore e një mjedisi një-me-një është se performanca e një kompjuteri mund të ngadalësohet, nëse ai punon edhe si klient, edhe si server në të njëjtën kohë.
Në bizneset më të mëdha, për shkak të mundësisë për sasi të mëdha trafiku, shpesh është e domosdoshme të ketë servera të dedikuar për t’iu përgjigjur numrit të kërkesave të shërbimeve. 
Avantazhet e rrjetit një-me-një janë:
-    I thjeshtë në konfigurim
-    Jo kompleks
-    Kosto më të ulët, përderisa mund të mos kërkohen pajisje rrjeti dhe servera të dedikuar
-    Mund të përdoret për detyra të thjeshta, si transferimi i skedarëve dhe ndarja e printerave
Disavantazhet e rrjetit një-me-një janë:
-    S’ka administrim të centralizuar
-    Jo shumë i sigurt
-    Jo i zgjerueshëm
-    Të gjitha pajisjet punojnë edhe si klient edhe si server, çka mund të ulë performancën e tyre në rrjet



Topologjitë e rrjeteve


Në një rrjet të thjeshtë të përbërë nga disa kompjutera, është e lehtë të shihet sesi lidhen të gjitha pjesët përbërëse të rrjetit. Ndërsa rrjetet zgjerohen, është më e vështirë të ndiqen vendndodhja e çdo departamenti dhe sesi çdo pjesë përbërëse lidhet në rrjet. Rrjeti me kabllo kërkon shumë kabllime dhe pajisje rrjeti për të siguruar lidhje për të gjithë pajisjet fundore të tij. 
Kur instalohen rrjetet, krijohet një hartë me topologjinë fizike për të shënuar se ku ndodhet çdo kompjuter dhe sesi lidhet në rrjet. Harta e topologjisë fizike tregon, gjithashtu, se ku janë instaluar kabllot dhe vendet e pajisjeve të rrjetit që lidhin pajisjet fundore njëra me tjetrën. Për të paraqitur pajisjet aktuale fizike përdoren ikona brenda hartës së topologjisë. Mirëmbajtja dhe përditësimi i hartave e topologjisë fizike është shumë e rëndësishme, pasi ndihmon instalimin dhe gjetjen e problemeve më vonë, kur bëhen ndryshime. 
Përveç hartës së topologjisë fizike, ndonjëherë është e domosdoshme që të kihet dhe një pamje logjike e topologjisë së rrjetit. Një hartë e topologjisë logjike grupon kompjuterat dhe pajisjet fundore nga mënyra sesi ato e përdorin rrjetin, pa pasur rëndësi se ku ndodhen ato fizikisht. Emrat e kompjuterave, adresat, informacioni për grupet dhe aplikimet mund të ruhen te harta e topologjisë logjike. 
Në grafikat  më poshtë ilustrohet ndryshimi midis hartave të topologjisë logjike dhe atyre fizike.
 



Burimi, kanali dhe destinacioni


Qëllimi parësor i çdo rrjeti është që të sigurojë një metodë për të shkëmbyer informacion. Nga njerëzit më të hershëm e deri te shkencëtarët më të avancuar sot, shkëmbimi i informacionit me të tjerët ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm për zhvillimin njerëzor. I gjithë komunikimi fillon me një mesazh ose informacion, që duhet të dërgohet nga një individ ose pajisje në një tjetër. Metodat e përdorura për dërgimin, marrjen dhe interpretimin e mesazheve ndryshojnë sipas kohës me avancimin e teknologjisë. 
Të gjitha metodat e komunikimit kanë tre elemente të përbashkët. I pari nga këta elementë është burimi i mesazhit, ose dërguesi. Burimet e mesazhit janë njerëzit, ose pajisjet elektronike që duhet të komunikojnë një mesazh tek individët a pajisjet e tjera. Elementi i dytë i komunikimit është destinacioni, ose marrësi i mesazhit. Destinacioni e merr mesazhin dhe e interpreton atë. Një element i tretë, i quajtur kanal komunikimi, siguron rrugën në të cilën udhëton mesazhi nga burimi në destinacion. 



Rregullat e komunikimit


Në çdo bisedë midis dy njerëzve, ka shumë rregulla e protokolle që të dy duhet të ndjekin, me qëllim që mesazhi të shkojë me sukses dhe të kuptohet si duhet. Ndërmjet protokolleve për komunikim njerëzor të suksesshëm janë: 
-    Identifikimi i dërguesit dhe marrësit
-    Mjedisi i transmetimit ose kanali i komunikimit i pranuar (ballë për ballë, telefon, letër, fotografi)
-    Regjimi i duhur i komunikimit (me të folur, me shkrim, e ilustruar, ndërvepruese ose një drejtimëshe)
-    Gjuha e përbashkët
-    Gramatika dhe struktura e fjalisë
-    Shpejtësia dhe ritmi i dërgimit
Imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse nuk do të ekzistonin protokolle ose rregulla për të përcaktuar sesi njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin. A do kishit mundësi t’i kuptonit ata? A jeni në gjendje të lexoni paragrafin që nuk ndjek protokollet e përbashkëta të pranuara?
Të njëjtat rregulla dhe protokolle komunikimi janë absolutisht të domosdoshme të zbatohen edhe në komunikimet e pajisjeve fundore në rrjetet kompjuterike. 

|Copyright © 2010 | Nardy | Design © Hacker-Nardy|